Ekrem Hyseni, kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, në pika të shkurtëra ka shpjeguar për Periskopi, përgatitjet e fundit që po i bëjnë si degë në këtë komunë, e ku fokusi do të jetë përbërja e listës së kandidatëve për deputetë nga ky qytet.
Hyseni nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe Agim Veliu të jetë pjesë e listës për garën për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Nuk e përjashtoj si mundësi.. as nuk e mohoj e as nuk e pohoj…”, ka thënë shkurt doktori i LDK`së.
Ai ka thënë se si kryetar degë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit e ka vetëm një qëllim.
“Do të bëjmë çmos që ta rrisim degën e LDK`së në Podujevë por edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës në nivel vendi”, tha Hyseni për Periskopi.
Ai ka konfirmuar gjithashtu se do të jetë në listë për kandidat për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Jo vetëm LDK në Podujevë, por të gjitha degët e subjektit që drejtohet nga Lumir Abdixhiku deri pasnesër (e Enjte) duhet të dorëzojnë listat me emrat për kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Periskopi ka tentuar të marrë një qëndrim nga ish ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu por i njëjti nuk ka hapur telefonin deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Por, ka qenë vetë Veliu i cili para pak ditësh në një shkrim të gjatë në profilin e tij në “Facebook”, ka shprehur gatishmërinë që të jetë në listën e LDK për kandidat për deputet.
Veliu kishte shkruar se LDK është “shtëpia jonë e përbashkët”.
Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite”, kishte shkruar ai ndër të tjera.
Njoftimi i plotë i Agim Veliut
Të dashur qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë
Ditëve të fundit kam parë një debat të gjerë në media, nga anëtarësia dhe shumë aktivistë të LDK-së lidhur me përfaqësimin në listën zgjedhore të 28 dhjetorit.
Dua t’i falënderoj të gjithë ata që me sinqeritet e bindje kanë ngritur zërin për kontributin tim dhe për kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Është e vërtetë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka ekzistuar pritja që të jem pjesë e listës. Por, pavarësisht vendimeve të padrejta e të dëmshme të asaj kohe, unë kam vazhduar të qëndroj aty ku kam qenë gjithmonë, në shërbim të LDK-së, të qytetarëve dhe të vlerave që kemi kultivuar për më shumë se tri dekada.
Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite.
LDK është shtëpia jonë e përbashkët. Ajo është ndërtuar me mund, sakrificë dhe besnikëri nga njerëzit që ishin aty kur ishte më së vështiri dhe që vazhdojnë të jenë aty edhe sot.
Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite.
Respekti për bazën, për themeluesit dhe për kontribuesit afatgjatë nuk është vetëm parim, është detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, ndaj anëtaresisë dhe ndaj qytetarëve që na besojnë.
Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet.
Faleminderit për vlerësimin, mbështetjen dhe besimin që vazhdoni të ma jepni!
Zoti e bekoftë LDK-në!
Zoti e bekoftë Rugovën!
Zoti e bekoftë Kosovën!







