Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Durrës, te Ura e Dajlanit. Një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke përfunduar rreth 30 metra poshtë saj.
Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit, 26 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Po ashtu janë plagosur edhe dy këmbësorë.
“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Nga burime thuhet se është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e dy të rinjve që ndodheshin brenda automjetit, shkruan Euronews.al.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.







