Në një ceremoni të organizuar nga OSBE, Komuna e Podujevës ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF), duke forcuar kështu bashkëpunimin në mbështetje të viktimave të dhunës në familje.
Qëllimi i këtij memorandumi është sigurimi i mbështetjes financiare nga komuna për strehimoren e QMGF-së, e cila ofron shërbime rezidenciale për gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës në familje.
Në emër të Komunës së Podujevës, marrëveshjen e nënshkroi nënkryetari Fahri Restelica, i cili theksoi se institucionet kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për t’u dalë në ndihmë kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.
“Komuna e Podujevës do të ofrojë mbështetje financiare për strehimoren e QMGF-së, në mënyrë që viktimave të dhunës në familje t’u ofrohen shërbime më cilësore dhe siguri më e madhe për të rifilluar jetën e tyre”, u shpreh Restelica.
Ky është bashkëpunimi i tretë radhazi ndërmjet Komunës së Podujevës dhe QMGF-së, duke dëshmuar angazhimin e vazhdueshëm institucional në luftimin e dhunës në familje dhe mbështetjen e viktimave.







