Komuna e Podujevës sot ka nënshkruar një marrëveshje të re për ndërtimin e pesë shtëpive të tjera për familjet me kushte të rënda ekonomike në bashkëpunim me humanistin Halil Kastrati.
Sipas marrëveshjes, Komuna do të participojë me nga 10 mijë euro për secilën shtëpi, ndërsa pjesa tjetër e financimit do të mbulojë organizata Jetimat e Ballkanit.
Gjatë ditës, përfaqësuesit komunalë së bashku me Kastratin vizituan edhe dy familje përfituese nga marrëveshja e mëparshme. Edhe në atë projekt Komuna kishte kontribuar me 10 mijë euro.
Ky bashkëpunim po vlerësohet si një hap i rëndësishëm në përmirësimin e kushteve për familjet në nevojë, duke ndikuar në mirëqenien e qytetarëve të Podujevës.
Komuna shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të Kastratit, duke theksuar se këto projekte janë shembull i solidaritetit dhe bashkëpunimit.







