Dy vëllezërit nga Lushnja, Artur dhe Arben Mëhilli, të shpallur në kërkim prej më shumë se dy dekadash, janë rikthyer në vëmendjen e autoriteteve pas një hetimi të gjatë ndërkombëtar, transmeton Raporto24.
Ata u dënuan në mungesë në vitin 2001 nga Gjykata e Lushnjës me gjithsej 32 vite burg, për vrasjen e të riut Rezar Metaj, një ngjarje e ndodhur në vitin 1999 dhe e cilësuar si akt hakmarrjeje. Konflikti mes palëve kishte nisur më herët, pasi në vitin 1997 viktima kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, pa u vënë asokohe përballë drejtësisë.
Pas krimit, dy vëllezërit u larguan nga Shqipëria dhe u vendosën në Itali, ku për vite me radhë jetuan të fshehur nën identitete të rreme, si Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, duke arritur madje të siguronin edhe dokumente qëndrimi.
Zbulimi i tyre erdhi pas informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane, të cilat ngritën dyshime mbi identitetin e disa personave që jetonin në një zonë të caktuar, së bashku me familjarë të lidhur me ta.
Për shkak të mungesës së të dhënave daktiloskopike në Shqipëri, hetuesit iu drejtuan metodave moderne të identifikimit. Në bashkëpunim me Interpolin, u përdor teknologjia e njohjes së fytyrës (facial recognition), duke krahasuar fotografitë e vjetra të dy vëllezërve me imazhet e dërguara nga Italia.
Nga analiza rezultoi se personat që jetonin me identitete të tjera në shtetin fqinj janë pikërisht Artur dhe Arben Mëhilli, të shpallur prej vitesh në kërkim ndërkombëtar.







