Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar figurën e heroit Agim Ramadani dhe rëndësinë historike të Betejës së Koshares, duke theksuar se kjo betejë ka ndikuar në ndryshimin e rrjedhës së luftës në Kosovë.
Haradinaj tha se kishte pasur rastin ta takonte vetëm një herë komandantin Agim Ramadani, për të cilin u shpreh se ishte një figurë e kompletuar si luftëtar dhe intelektual.
“Unë kam pas nderin me taku vetëm një herë komandantin Agim Ramadani, pra me pas një bisedë fizike me të. Ndërsa kam dëgjuar për të herët, edhe para luftës. Ka qenë një shqiptar i zoti, me qëndrime shumë shqiptare, të paqta shqiptare edhe që i ka kushtuar luftës me zemër, me shpirt edhe me krejt dijen e tij. Pastaj profili i tij që ka qenë edhe i prirur, pra i një piktori, i një intelektuali, i një artisti, i një njeriu të pendës, e kanë bërë shumë më bashkues për shumë kolegë në atë kohë. E kam thënë në shumë raste rëndësinë e betejës së Koshares. Pra, mos e harroni, lufta jonë ka kaluar nëpër etapa të ndryshme në Kosovë. Edhe fundi i luftës ka qenë i rëndë sepse UÇK-ja në terren ka pasur vështirësi gjatë gjithë luftës. E Kosharja, në këtë rast Sali Çeku, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, pastaj komandantët e gjallë Rrustem Berisha, Anton Çuni, Fadil Hadërgjonaj, shumë të tjerë, Xhafer Gashi, Musa Draga e plotë të tjerë kanë bërë që jo vetëm me i dhënë energji luftës brenda, por në një farë mënyre me ndërru krejt rrjedhën e luftës. Pra, kjo ka qenë një ngjarje shumë e rëndësishme për luftën tonë. Edhe qysh po e shihni, janë 114 dëshmorë. Pra, kjo e tregon edhe intensitetin e luftës. E sot jemi bashkuar për Agimin, bashkohemi për Salihun, për Xhemajlin, për të gjithë dëshmorët këtu”, tha ai.
Haradinaj foli edhe për ndarjen nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një nga miqtë e mëdhenj të Kosovës.
“Po, po e kam marrë me dhimbje, edhe shqiptarët po shihni më shumë çka kanë mundur me bërë për ne. Jemi afër familjes, jemi afër miqve, jemi në një shpirt pra rreth angazhimit të tij për ne. I takon një brezi njerëzish që kanë bërë shumë, edhe si sekretarja Albright dikur, pastaj Tom Lantos, Henry Hyde, Ben Gilman, edhe po, John McCain edhe Bob Dole. Pra, ky është i atij brezi njerëzish që ju gjenden Kosovës në ditët më të vështira, nuk e harrojmë edhe Joe Dioguardin edhe shumë të tjerë që vërtet në etapa të ndryshme i kanë shërbyer Kosovës”, tha ai.







