Për synimet e Kosovës që të ketë një linjë të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e Turqisë, kryeministri Albin Kurti, ka folur në takim me ministrin e Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat.
“Me qëllim të ndërlidhjes globale dhe ekonomike, kryeministri Kurti foli për synimet për hapjen e një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e Republikës së Turqisë”, thuhet në njoftimin për media të kryeministrisë.
Në këtë takim, ekzekutivi thotë se Kurti shprehu gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, derisa i ka treguar mysafirit të lart turk se në dekadën e fundit janë dyfishuar shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve, sipas tij, me rritjen më të shpejtë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë.
“Të dy diskutuan për mundësitë e zgjerimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë edhe për shërbimet, përfshirë ato profesionale, të teknologjisë së informacionit, të transportit dhe të logjistikës, si dhe shërbimet financiare. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti, përmendi potencialin e jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës për eksport të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të kryeministrisë.
E si hap të radhës drejt zgjerimit të bashkëpunimit, sipas Kurtit, do të ishte mbajtja e Forumit të dytë Ekonomik, Kosovë-Turqi në Prishtinë.
“Kryeministri Kurti theksoi se do të ishte i lumtur që Forumi i dytë Ekonomik Kosovë-Turqi, pas atij në Stamboll më 2024, të mbahej në Prishtinë këtë vit, si një hap konkret i radhës, thellimit dhe i zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Ndërsa, u diskutua edhe për aktivizimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar”, thotë komunikata e Qeverisë.
Në këtë takim, pasi theksoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, ekzekutivi thotë se kryeministri Kurti përcolli mirënjohjen dhe falënderimet e tij për presidentin turk për angazhimin dhe mbështetjen e posaçme ndërkombëtare për Kosovën. /Kosova.info/







