Deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së trajtimit të Ligjit për Buxhet në Kuvend.
Ai u shpreh i shqetësuar për, siç tha, mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në këtë proces, duke theksuar se bëhet fjalë për çështje me rëndësi të madhe për shtetin.
“Unë jam deputet për herë të dytë dhe më ka rënë ta shoh si trajtohet buxheti i Kosovës. Për mua është e pabesueshme që ju e bëni me kaq joseriozitet çështjen e buxhetit. Me këtë seriozitet s’ma merr mendja që në shtëpinë tënde s’të lënë me trajtu ekonominë familjare, jo më biznesin e shtetit”, tha Gruda, transmeton Klankosova.tv
Ai shtoi se për të tretën herë po kërkohet votim i përshpejtuar për buxhetin, duke e konsideruar këtë të papranueshme.
“Hera e tretë që na detyroni me shpejtësi me votu paratë e krejt neve. Këtu bëhet fjalë për paratë e Kosovës, s’janë të PDK-së e as të VV-së. Kam pritur më shumë profesionalizëm. Hiqu prej agjendës politike se je ministër i financave”, u shpreh ai.







