Policia e Kosovës ka ekstraduar në Maqedoninë e Veriut një shtetas të këtyre të fundit, i cili kërkohej nga INTERPOL-i.
“Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më datë 07.05.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit maqedonas, nga Kosova për në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“I dyshuari ishte arrestuar nga policia e Kosovës pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, për veprën penale “Posedim i paautorizuar, shpërndarje dhe shitje e substancave narkotike”.
Ata thanë se ky proces u realizua bazuar në ligjet në fuqi si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional të të dyja shteteve.
“Policia e Kosovës, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryerësve të veprave penale, si dhe aktiviteteve tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”.






