Ka përfunduar në pranga personi që kërkohej nga Policia lidhur me rastin e dhunës në familje të raportuar në Rahovec, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Bëhet fjalë për A.Rr., rreth 32-vjeçar, i cili ishte futur në kërkim policor më 7 maj 2026, pasi bashkëshortja e tij F.Rr., rreth 26-vjeçare kishte raportuar në Polici se kishte marrë mesazhe kërcënuese nga ai, derisa i dyshuari ndodhej në Slloveni.
Sinjali mëson se mëngjesin e 8 majit, rreth orës 05:50, i dyshuari është ndaluar në pikën kufitare në Merdare, ku gjatë verifikimit ka rezultuar person në kërkim.
Pas ndalimit nga Policia Kufitare, ai është arrestuar dhe është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas përfundimit të intervistimit, Prokurorja kujdestare ka nxjerrë vendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Ndërkohë, pas arrestimit, emri i tij është larguar nga sistemi i kërkimit policor.
Rasti i dhunës në familje vazhdon të hetohet.







