Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të partisë pritet të konfirmohen politikat zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit dhe rikandidimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për kryeministër.
Ai tha se Këshilli i Përgjithshëm është autoriteti përgjegjës për përcaktimin e politikave zgjedhore dhe listës së kandidatëve për deputetë, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
“Kjo s’ka të bëjë me asnjë çështje tjetër, pos që sot Këshilli i Përgjithshëm, sot konfirmon politikat zgjedhore të 7 qershorit. Ky është autoriteti përgjegjës i LDK-së. Kryetari i LDK-së sot nominohet për kryeministër, natyrisht dhe vendoset politika e nominimit edhe e listës zgjedhore për 110 burra e gra që kanë me qenë pjesë e garës së përbashkët. LDK i ka hapur dyert, LDK i ka hapur mundësitë, LDK i fton të gjithë rugovistët, besimtarët në Republikën e Kosovës t’i bashkohen kësaj liste për ndryshimin e madh, edhe jo rastësisht në Ditën e Evropës”.
I pyetur për rikthimin e Agim Veliu në LDK, Haziri tha se ai dhe figura të tjera që kanë kontribuar në parti dhe shtet duhet të jenë pjesë e organizimit politik të partisë.







