Zgjedhjet e jashtëzakonshme po afrohen, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës pritet të mblidhet sot për të diskutuar përgatitjet për to.
Takimi është planifikuar të nisë në orën 16:00, dhe në të pritet të trajtohet edhe çështja e mundshme e rikthimit të Fatmir Limajt në këtë subjekt politik, transmeton Klankosova.tv.
Kthimi i “Çelikut” në Partinë Demokratike po konsiderohet ndër çështjet kryesore politike brenda PDK-së. Situata është nxitur pas një letre që Fatmir Limaj i ka dërguar kryetarit të kësaj partie, Bedri Hamza, të premten, ku ai ka kërkuar që të përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë pa kushte.
Kthimin e tij në këtë parti e kanë kërkuar edhe disa figura të njohura të këtij subjekti.
Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku përmes një postimi sot në Facebook, tha se po të varej nga ai, Fatmir Limaj do të duhej të ishte pjesë e kësaj partie, megjithatë kjo, siç tha, pritet të vendoset në mbledhjen e kryesisë së këtij subjekti politik./Klankosova.tv







