Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur lidhur me aksionin e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës në Skenderaj, duke e cilësuar atë si “turpin më të madh” dhe një veprim të panevojshëm ndaj qytetarëve të Drenicës.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Gucati tha se ndërhyrja policore ka krijuar shqetësim te qytetarët dhe se aksioni, sipas tij, i ka rikthyer banorët 27 vite pas.
“Mbrëmë rreth orës 23:30, Njësia Speciale ka ndërhy në Drenicë, në komunën e Skenderajt, pa arsye e pa nevojë. Ne jo që jemi frikësu si qytetarë, por kemi kërku pse është ky kontroll, pse janë këto forca policore me armë të gjata. Në disa pika, 14, 17 ose 20, me siguri 17 pika kanë qenë, kanë ndërhy duke maltretu Drenicën pa nevojë, ndërsa qytetarët e Skenderajt kanë nejt qut”, tha ai.
Gucati akuzoi po ashtu institucionet për deklarime të pasakta lidhur me aksionin, duke thënë se Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme “kanë rënë në gërshërë”.
“Na ka rikthy para 27 viteve çka ka ndodh në Drenicë. Ajo që ka ndodh mbrëmë ka qenë turpi më i madh i Ministrisë që e ka shti policinë në gërshërë me ardh prej orës 23:00 deri në ora 4 ose 5 të mëngjesit. Njësia Speciale ka ndërhy në Skenderaj pa nevojë, për një shuplakë. A përdoret Njësia Speciale për një shuplakë? Ky është turpi më i madh i qeverisë dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Gucati, duke përmendur edhe ministrin në detyrë, Xhelal Sveçla.
Ndiqeni deklarimin e tij në “Kosova Today”: /Klankosova.tv







