Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim për kërkesën për ndërprerje të paraburgimit në rastin e dyshimeve për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh me prona në lagjen Veternik.
Kjo gjykatë ka vendosur që të refuzojë si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të dyshuarit M.M., kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, raporton Klankosova.tv
Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e datës 25 mars, të pandehurve M.M. dhe Zh.J. ua kishte vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh.
Në procedurën ankimore, Apeli po ashtu kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe kishte vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.
“Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka ushtruar mbrojtësi i të pandehurit M.M., avokati Visar Vehapi, me propozim që aktvendimet e kundërshtuara të anulohen dhe çështja të kthehet në rivendosje, ose të ndryshohen duke e liruar të pandehurin nga paraburgimi, respektivisht duke e zëvendësuar paraburgimin me arrest shtëpiak dhe masa të tjera kufizuese.”
Por, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesë, Supremja vlerësoi se kërkesa është e pabazuar, transmeton Klankosova.tv
Sipas vlerësimit të Gjykatës, rezulton dyshimi i bazuar se i pandehuri mund të ketë kryer veprat penale për të cilat po zhvillohen hetimet.
“Gjykata Supreme vlerëson se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes; ndikimit në dëshmitarë dhe në bashkë të pandehur, asgjësimit të provave apo koordinimit të deklaratave me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale si dhe rreziku që i pandehuri, nëse lihet në liri, të përsërisë vepra penale të natyrës së njëjtë apo të ngjashme.
I pandehuri, së bashku me persona të tjerë, dyshohet se ka falsifikuar dokumente pronësore dhe ka tentuar regjistrimin e tyre në Zyrën e Kadastrit në Komunën e Prishtinës për parcelën me numër P-…, me sipërfaqe prej 5976 m², e cila ndodhet në Veternik.
Gjykata Supreme konstatoi se gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të bazuar lidhur me vazhdimin e paraburgimit dhe se në rastin konkret nuk janë shkelur dispozitat e procedurës penale.”







