231 besimtarë nga komuna e Prishtinës morën rrugën drejt Mekës, ndërsa Aeroporti “Adem Jashari” u mbush me emocione, lutje dhe përqafime mes besimtarëve dhe familjarëve të tyre.
Familjarë të shumtë kishin dalë për t’i përcjellë të afërmit e tyre, ndërsa atmosfera në aeroport u karakterizua nga emocione të forta dhe lot gëzimi, pasi për shumë prej besimtarëve kjo është hera e parë që nisen drejt vendeve të shenjta islame, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit të Bashkësisë Ilsame të Republikës së Kosovës (BIK), besimtarët u shprehën të lumtur që pas shumë vitesh pritjeje po u jepet mundësia ta vizitojnë Qabenë dhe ta kryejnë një nga pesë obligimet kryesore të fesë islame.
Për t’i përshëndetur dhe përcjellë haxhinjtë, në aeroport ishte i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili u uroi rrugë të mbarë, shëndet dhe haxh të pranuar.
Nga Drejtoria e Haxhit dhe Umres në BIK, është bërë e ditur se të gjitha përgatitjet dhe organizimi i udhëtimit kanë shkuar sipas planifikimeve dhe pa ndonjë pengesë.
Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit gjithsej 1576 besimtarë nga Kosova do ta kryejnë obligimin e haxhit, ndërsa udhëtimet drejt Mekës do të realizohen në grupe gjatë ditëve në vijim.







