Banka Botërore, si partner zbatues i nismës së financuar nga Bashkimi Evropian “EU4 Rule of Law”, ka prezantuar gjetjet për Kosovën nga anketa e fundit rajonale e drejtësisë.
Në këtë prezantim u tha se gjetjet e kësaj ankete tregojnë se nga viti 2020 deri në vitin 2025 ka pasur zhvillimi pozitive në disa dimensione kyçe të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Ushtruesja e Detyrës së Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka thënë se janë duke i analizuar gjetjet e këtij raporti, duke shtuar se kjo do t’u ndihmojë që ta kuptojnë më mirë funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Jemi duke analizuar me kujdes të madh informatat e mbledhura prej këtij pyetësori sepse kjo flet për nivelin e kapshmërisë, efikasitetin, barazinë dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe kjo na ndihmon që ta kuptojmë më mirë se si sistemi i drejtësisë po funksionon. Praktikisht, ka vlerë krahasimore të rëndësishme që e përmendi vlerën krahasimore rajonale për të parë se ku Kosova qëndron në kontekst të rajonit dhe vlera tjetër krahasimore që është shumë e rëndësishme për ne pasi që jemi duke u angazhuar si Bashkim Evropian këtu që të krahasohet me të dhënat e pyetësorit të 2020 për të parë se si gjërat janë zhvilluar dhe përmirësuar dhe normalisht ky pyetësor është këtu që të ushqejë angazhimet tona, të informojë angazhimet tona të tjera. Komisioni Evropian i përdor këto inpute, këto informata, këto të dhëna për të matur progresin e reformës dhe që të informojë edhe angazhimin tonë të mëtutjeshëm”, ka thënë ajo, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
Palatova, ka folur edhe për zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se pas kësaj date pret formim të institucioneve.
“Objektivat afatmesme të Kosovës që të fillojnë negociatat për anëtarësim, gjërat thelbësore, themeltare në këtë drejtim të përcaktuara nga metodologjia janë saktësisht fondamentale themelore dhe kjo i mbulon kapitujt 23 dhe 24 dhe kjo drejtpërdrejtë ka të bëj me gjyqësorin dhe sundimin e ligjit.. Do të mirëpresim formimin e rrjedhshëm të institucioneve politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ku shpresojmë që ky proces mund të udhëhiqet nga fryma e kompromisit në mënyrë që shumë shpejtë Kosova të ketë institucione të cilat mund të përparojnë reformat e domosdoshme në kontekst të procesit të integrimit”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Genc Nimoni, zv.ministër i drejtësisë, ka deklaruar se kjo anketë është shumë e rëndësishme për vendin tonë.
“Kjo anketë është e rëndësishme për vendin tonë sepse pasqyron gjendjen e sektorit të drejtësisë dhe perceptimin e qytetarëve, bizneseve dhe profesionistëve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera bazuar në evidencë. Për ne si Ministri e Drejtësisë ky raport natyrisht që ka rëndësi të veçantë sepse na ndihmon jo vetëm të identifikojmë progresin e arritur por edhe sfidat që kërkojnë veprime të tjera tutje në kuptim të përmirësimit dhe avancimit në fushën e sundimit të ligjit. Gjetjet e kësaj ankete tregojnë se nga viti 2020 deri në vitin 2025 ka pasur zhvillimi pozitive ne disa dimensione kyçe të sistemit të drejtësisë në Kosovë e cila është mjaftë inkurajuese. Është e rëndësishme të shohim perceptimin e qytetarëve për efikasitetin në drejtësi, veçanërisht qytetarëve që kanë pas përvojë drejtpërdrejtë me institucione gjyqësore”, ka thënë ai.
Kurse, Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) tha se është rritur numri i gjykatësve, por jo i prokurorëve.
“Një prej mesazheve më të rëndësishme të këtij raporti është se perceptimi për efikasitetin e sistemit të drejtësisë ka shënuar përmirësim në disa aspekte kyçe krahasuar me vitin 2020. Po ashtu është e rëndësishme që raporti tregon se besimi në sistemin gjyqësor është përmirësuar, gjë që tregon se qytetarët gradualisht po e njohin më shumë punën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë. Kohët e fundit, siç e dini, siç e kam theksuar në disa prononcime të mia, është rritur numri i gjyqtarëve, ndërsa numri i prokurorëve nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm, duke krijuar një disproporcion të dukshëm ndërmjet këtyre dy komponentëve kyç të sistemit të drejtësisë. Ky mosbalancim po reflekton në praktikë përmes shtimit të numrit të rasteve dhe dështimit të seancave gjyqësore, pikërisht për shkak të pamundësisë së përfaqësimit në lëndë nga ana e prokurorëve. Gjë që ndikon negativisht edhe në efikasitetin e procedurave dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Në shumë raste, kjo situatë po rezulton po ashtu edhe në ngarkesë të tepërt të prokurorëve me përfaqësim në numër shumë të madh të seancave për t’i evituar dështimet e tyre, gjë që po ndikon rrjedhimisht në zvogëlimin e kohës së prokurorëve për t’i dedikuar pra hetimeve cilësore. Nuk mund të presim rezultate më të shpejta, hetime më komplekse e luftë më efektive kundër kriminalitetit pa investime konkrete në kapacitete njerëzore e profesionale”, tha Gashi.
Ai tha se ky raport tregon se perceptimet e qytetarëve dhe bizneseve që besojnë në paanshmëri në sistemin gjyqësor janë motivim për të komunikuar më shumë me publikun.
“Raporti gjithashtu tregon se perceptimet e qytetarëve dhe bizneseve për pavarësinë dhe paanshmërinë në sistem mbeten të ndara, dhe në disa raste skeptike. Kjo duhet të na motivojë që të komunikojmë më shumë me publikun, të jemi më transparentë, më të hapur dhe më llogaridhënës. Ne duhet ta kuptojmë se drejtësia nuk matet vetëm me statistika apo numra akuzash, drejtësia matet me besimin e qytetarëve në institucionet, pra të veprojnë pa dallim, pa ndikim dhe në interes të ligjit.
Po ashtu raporti evidenton se zgjatja e lëndëve dhe perceptimet për procedura selektive vazhdojnë të jenë ndër shqetësimet kryesore të publikut dhe profesionistëve, edhe pse me përmirësime të dukshme në krahasuar me vitin 2020. Pra ka progres. Këto janë sfida që kërkojnë jo vetëm reforma ligjore, por edhe koordinim më të madh institucional dhe modernizim të proceseve të punës”, tha Gashi.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) Artan Abazi, tha se ky raport tregon se ka përmirësime të dukshme në raport me sistemin gjyqësor.
“Të them të drejtën, nga analizimi i anketës, kam vërejtur qartë që për dallim nga anketa e vitit 2020, kjo e vitit 2025, qartë tregon që sistemi gjyqësor ka përmirësime të dukshme dhe mjaft pozitive, si në aspektin e qasjes së qytetarëve dhe të bizneseve në sistemin gjyqësor, konkretisht në gjykata, po ashtu në rritjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor që është shumë e rëndësishme për me u theksuar, në rritjen e profesionalizmit dhe të efikasitetit. Po ashtu, duhet cekur që në bazë të anketës kemi vërejtur se sistem gjyqësor që qytetarët, bizneset, të gjitha, të gjithë akterët e tjerë, duke përfshirë avokatët, prokurorët, pjesë të tjerë që marrin pjesë çdo ditë e më tepër nëpër seanca gjyqësore, kanë përshtypje shumë më të mirë për sistemin gjyqësor, respektivisht për punën e gjykatave, duke e përfshirë punën profesionale të gjyqtarëve, por po ashtu edhe atë administrative nëpër gjykatat tona”, tha ai.
“Po ashtu, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e keni që çdo ditë e më tepër merr masa që të jetë sa më efikas duke hartuar strategji të ndryshme. Ndër strategjitë që duhet theksuar është fakti që, duke pasur parasysh numrin e madh të lëndëve, e që këtu duhet cekur që pa fajin e gjyqësorit, përmes kontratave kolektive të lidhura nga organet e tjera shtetërore e duke mos i kryer fare obligimet e tyre siç përcaktohet me ligj, ato organe, neve na mbetet barra për t’i gjykuar, konkretisht nënkuptohet që qytetari ka gjetur rrugë për ta realizuar të drejtën e tij në gjykatë.
Dhe duke pasur parasysh që numri i lëndëve është rritur, Këshilli Gjyqësor i Kosovës merr merr masa dhe ka miratuar strategjinë për zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara, ashtu që ka bërë një kufizim kohor që edhe që lëndëve të vjetra, edhe ato të rejat përmes kontratave kolektive, të kryhen në mënyrë sa më efikase. Çfarë ka ndërmarrë Këshilli Gjyqësor në këtë aspekt? Ka përcaktuar në atë strategji që një lëndë e vjetër që është me që disa vite në sistemin gjyqësor, duhet të kryhet brenda dy viteve nga miratimi i strategjisë. Dhe nëse një lëndë e tillë i kalon dy vite dhe gjyqtari nuk ka trajtuar, ka marrë masa, atëherë Këshilli Gjyqësor ka autorizimin dhe kompetencën që të marrë masa ndaj gjyqtarëve që i kanë grumbulluar lëndët e vjetra”, tha Abazi.
Klaus Decker, Specialist i Lartë për Sektorin Publik nga Banka Botërore u shpreh se vlerësimi i avokatëve është pozitiv.
“Siç e shpjegova, kur i krahasoni rezultatet e vitit 2025 me ato të vitit 2020, vihet re një ndryshim. Siç e theksova, mendoj se kjo ndodh vetëm sepse rezultatet e strategjisë bazë kanë dalë jashtëzakonisht pozitive. Ka shumë më tepër për të thënë lidhur me efikasitetin. Rezultatet që po paraqes këtu tregojnë vetëm një prirje të përgjithshme. Në vendet tuaja duhet të keni gjetur një USB. Ky USB, ndër të tjera, përmban raportet teknike – mbi 200 faqe – me një paraqitje të detajuar të të gjithë gamës së rezultateve të anketës. Ju mund të hyni në çdo detaj të nevojshëm, nëse dëshironi. Le të kalojmë te cilësia. Jo çuditërisht, rezultatet këtu janë pothuajse një pasqyrim i rezultateve që sapo pamë për efikasitetin. Pra, në këtë nivel të përgjithshëm të rezultateve, nuk ka ndonjë dallim domethënës mes asaj që shohim për efikasitetin dhe cilësinë e punës së gjykatave dhe të prokurorive. Të dyja këto janë pothuajse të njëjta”, tha Decker.
Ai tha se anketa ka mbuluar disa aspekte që lidhen me cilësinë dhe që sipas tij kanë qenë më problematike.
“Tani do të hyj pak më në detaje. Anketa, ndër shumë të tjera, ka mbuluar edhe aspekte që lidhen me cilësinë, të cilat zakonisht i konsiderojmë problematike. Kemi pasur pyetje për zbatimin selektiv të ligjeve, moszbatimin e ligjeve, dhe ka edhe disa të tjera në diapozitivin vijues. Ajo që shohim këtu janë disa elemente. Nëse fillimisht shikojmë ndryshimin mes rezultateve të viteve 2020 dhe 2025, shohim se prirja është shumë pozitive – shumë. Pra, te avokatët, gjyqtarët dhe sidomos te prokurorët, vlerësimi i tyre është shumë më pozitiv se herën e kaluar lidhur me çështjet e zbatimit selektiv të ligjeve apo moszbatimit të ligjeve. Ajo që është gjithashtu interesante është se avokatët, natyrisht, priren të jenë më kritikë, si njerëz që qëndrojnë mes sistemit dhe përdoruesve të tij, krahasuar me ata që ofrojnë shërbimet brenda institucioneve. Pra, gjyqtarët dhe prokurorët priren të jenë më pozitivë në përgjithësi, ndërsa avokatët janë gjithmonë pak më skeptikë”, tha Decker.







