Një rast që ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe menaxhimin e armëve zyrtare ka ndodhur në Prishtinë, ku hajnat kanë arritur t’ia vjedhin një polici çantën me armën zyrtare direkt nga vetura e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur dje në fshatin Barilevë, në rrugën “Qazim Dragusha”, gjatë intervalit kohor mes orës 18:00 dhe 20:00.
Sipas informatave të siguruara, zyrtari policor kishte lënë të ndezur veturën e tij “Range Rover”, derisa kishte dalë jashtë automjetit.
Në atë moment, persona ende të paidentifikuar kanë hapur derën e veturës dhe kanë marrë çantën e policit, ku ndodheshin arma zyrtare e tipit “Glock” dhe rreth 400 euro para të gatshme.
Sinjali mëson se vetura nuk kishte shenja dëmtimi, çka dyshohet se autorët kanë shfrytëzuar pakujdesinë dhe momentin kur automjeti kishte mbetur i hapur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve të Kryeqytetit, hetimet rajonale dhe krimteknika, ndërsa janë duke u verifikuar kamerat e sigurisë në zonat përreth.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është cilësuar fillimisht si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa arma zyrtare e zhdukur ende nuk është gjetur.







