Anëtari i LDK-së, Valon Demolli, ka reaguar pas rezultatit zgjedhor në Podujevë, duke kërkuar reflektim dhe përgjegjësi nga udhëheqja e degës pas humbjes së pësuar.
Përmes një reagimi publik, Demolli tha se humbja e LDK-së në Podujevë nuk duhet parë vetëm si një rezultat zgjedhor, por si një mesazh i qartë i qytetarëve që kërkon analizë dhe përgjegjësi.
“Ka humbje që dhembin jo për rezultatin, por për mënyrën se si arrihet deri te ai rezultat. Humbja e LDK-së në Podujevë është një nga ato momente që lë pas zhgënjim, revoltë dhe shumë pyetje pa përgjigje”, ka deklaruar ai.
Sipas Demollit, qindra aktivistë dhe mbështetës të LDK-së kanë sakrifikuar ndër vite kohën, energjinë dhe besimin e tyre për subjektin politik, ndaj meritojnë përgjigje dhe jo heshtje pas një rezultati të tillë.
Ai theksoi se në momente humbjeje, përgjegjësia duhet të jetë pjesë e udhëheqjes politike, duke shtuar se nuk mjafton të fajësohen rrethanat apo kundërshtarët politikë.
“Më e dhimbshme se humbja është mungesa e reflektimit. Më e rëndë se rezultati është indiferenca ndaj mesazhit që dhanë qytetarët me votën e tyre”, u shpreh Demolli.
Në fund të reagimit të tij, ai vlerësoi se LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe ndryshim të vërtetë, duke shtuar se partitë politike nuk dobësohen nga humbjet, por nga mungesa e guximit për t’i pranuar ato.
Postimi i plote:
Ka humbje që dhembin jo për rezultatin, por për mënyrën se si arrihet deri te ai rezultat. Humbja e LDK-së në Podujevë është një nga ato momente që lë pas zhgënjim, revoltë dhe shumë pyetje pa përgjigje.
Për vite me radhë, qindra aktivistë e mbështetës sakrifikuan kohën, energjinë dhe besimin e tyre për ta mbajtur gjallë frymën e LDK-së. Sot, ata meritojnë më shumë se heshtje. Ata meritojnë përgjigje.
Kur një subjekt humb besimin e qytetarëve, nuk mjafton të fajësohen rrethanat, kundërshtarët apo koha. Dikush duhet të ketë guximin të shikojë në pasqyrë dhe të pranojë përgjegjësinë. Sepse posti i kryetarit nuk është privilegj vetëm për ditët e mira; është përgjegjësi para çdo anëtari dhe çdo votuesi, veçanërisht kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Më e dhimbshme se humbja është mungesa e reflektimit. Më e rëndë se rezultati është indiferenca ndaj mesazhit që dhanë qytetarët me votën e tyre. Një udhëheqës që nuk dëgjon zërin e qytetarit pas humbjes, rrezikon të humbasë edhe atë pak besim që ka mbetur.
Podujeva nuk e ndëshkoi LDK-në pa arsye. Qytetarët folën me votë, ndërsa udhëheqja duhet të flasë me përgjegjësi. Heshtja nuk e shëron humbjen, as nuk e rikthen besimin. Vetëm pranimi i gabimeve dhe ndryshimi i vërtetë mund ta bëjnë këtë.
Sot më shumë se kurrë, LDK-ja ka nevojë për përgjegjësi dhe jo për arsyetime. Ka nevojë për reflektim dhe jo për krenari të verbër. Sepse historia ka treguar se partitë nuk dobësohen nga humbjet, por nga mungesa e guximit për t’i pranuar ato.







