Nën kryesimin e Kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot u mbajt mbledhja urgjente e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e thirrur pas dy rasteve të rënda që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit: incidentit të djeshëm në sheshin e qytetit dhe rastit tragjik në Liqenin e Batllavës, më 30.06.2026, ku humbi jetën një i ri.
Në mbledhje morën pjesë nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, përfaqësues të stacionit së Policisë në Podujevë, përfaqësues të KFOR-it, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Kryetari Shpejtim Bulliqi shprehu shqetësimin e tij për ngjarjet e fundit, duke theksuar se këto raste kërkojnë vëmendje dhe angazhim të shtuar institucional. Ai ritheksoi se siguria e qytetarëve mbetet prioritet i institucioneve dhe se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet të gjitha mekanizmave të sigurisë është thelbësor për ruajtjen e rendit publik dhe parandalimin e rasteve të ngjashme.
Nga stacioni i Policisë, zëvendëskomandantja e Stacionit Policor në Podujevë, Valbona Blakcori, prezantoi raportin informues për incidentin e djeshëm ndodhur në sheshin e qytetit, duke paraqitur kronologjinë e plotë të veprimeve policore, nga pranimi i informacionit fillestar deri te menaxhimi dhe neutralizimi i situatës. Ajo theksoi se falë reagimit të menjëhershëm, profesional dhe të koordinuar të zyrtarëve policorë, u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i incidentit, i cili, bazuar në rrethanat e krijuara, kishte potencial të përfundonte me pasoja të rënda. Gjithashtu, ajo ritheksoi se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave ligjore, rritjen e masave parandaluese dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, përmes angazhimit të vazhdueshëm në terren dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera.
Përfaqësuesi i Forcës së Sigurisë së Kosovës shprehu keqardhje për dy rastet e ndodhura, duke theksuar se FSK-ja vazhdon të jetë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet e sigurisë për përmbushjen e misionit të saj në mbështetje të qytetarëve. Lidhur me rastin në Liqenin e Batllavës, ai bëri të ditur se, menjëherë pas pranimit të kërkesës për operacion kërkim-shpëtimi, ekipet e specializuara të FSK-së u angazhuan pa ndërprerje dhe me kapacitet të plotë operacional, duke zhvilluar operacionin me profesionalizëm, përkushtim dhe koordinim të vazhdueshëm, deri në gjetjen dhe nxjerrjen e trupit të pajetë të të riut.
Përfaqësuesi i KFOR-it theksoi se ky mision mbetet në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë dhe konfirmoi se do të shtohen patrullimet në qytet dhe në zonat përreth, me qëllim të rritjes së ndjenjës së sigurisë dhe mbështetjes së përpjekjeve të përbashkëta për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Pas raportimeve, anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi zhvilluan diskutime, parashtruan pyetje dhe dhanë rekomandime konkrete për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e masave shtesë parandaluese në funksion të rritjes së sigurisë në komunë.
Në përmbyllje të mbledhjes, kryetari Bulliqi shprehu mirënjohje për zyrtarët e Policisë së Kosovës – Stacioni në Podujevë, të cilët, me profesionalizëm, vendosmëri dhe reagim të shpejtë, menaxhuan incidentin e djeshëm, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe pasojat që ajo mund të kishte shkaktuar. Një falënderim të veçantë ai adresoi edhe për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për angazhimin maksimal gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit në Liqenin e Batllavës, si dhe për të gjitha institucionet e tjera të përfshira për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e treguar në shërbim të sigurisë së qytetarëve.







