Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të pranojë takimin me kryeministrin në detyrë Albin Kurti nëse ai nuk lëviz nga pozicioni për ndarjen e pozitave vendimmarrëse: kryeministrit dhe presidentit.
I pyetur për referencat e Kurtit në drejtim të kryetarit aktual të AAK-së, Ardian Gjinit, të cilin e quajti disa herë të martën “kryetar komune”, Haradinaj tha se udhëheqësi aktual i Aleancës është dëshmuar si lider i suksesshëm.
“Tani, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka ushtruar shumë funksione. Është kryetar shumë i suksesshëm i Komunës së Gjakovës, por është dëshmuar me rezultat i suksesseshëm edhe si kryetar i partisë”, tha Haradinaj të enjten, në një deklaratë për media para objektit të Kuvendit të Kosovës.
Rreth ftesës së Kurtit për takim me Gjinin dhe përfaqësuesit e AAK-së, ish-kryeministri Haradinaj tha se nuk bëhet fjalë për pranimin e ftesës nëse Kurti nuk lëviz nga qëndrimet e tij për ndarjen e pozitave të presidentit dhe kryeministrit.
Dallimi është shumë i thjeshtë: bëhet fjalë nëse udhëheqësi i regjimit e pranon rezultatin si bashkë-vendimmarrje apo nuk e pranon”, deklaroi Haradinaj.
Ish-kryetari i AAK-së tha se opozita nuk i ndihmon Kosovës nëse bëhet pjesë e qeverisë sa për “përfitime të pushtetit”.
“Opozita i ndihmon Kosovës nëse bëhet pjesë e vendimmarrjes”, u shpreh Haradinaj.







