Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik, ka intensifikuar kontrollet në barnatoret në të gjithë Kosovën, pas ankesave të konsumatorëve për mospërputhje të çmimeve të barnave.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ankesat kanë të bëjnë me dallimin ndërmjet çmimit të shënuar në banderolë dhe atij që paraqitet në arkë.
Gjatë inspektimeve të realizuara sot në Komunën e Pejës, inspektorët kanë shqiptuar gjoba ndaj subjekteve ku janë konstatuar shkelje.
Aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në të gjitha rajonet e Kosovës, me qëllim të parandalimit të parregullsive në çmime dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga praktikat e padrejta tregtare.
Ndërkohë, vetëm gjatë këtij viti, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit janë adresuar mbi 20 ankesa lidhur me këtë problematikë, duke shënuar rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Konsumatorët që hasin në raste të tilla mund t’i adresojnë ankesat përmes emailit konsumatori@rks-gov.net ose përmes Viberit, në numrin +383 (0) 46 311-000.






