Një përleshje mes dy personave në fshatin Bellanicë të Malishevës ka përfunduar me përdorimin e thikës dhe lëndimin e të dyve. Njëri prej tyre është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ndërsa tjetri është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 7 nëntor, rreth orës 10:00, kur E.H. 31 vjeçar kishte shkuar te shtëpia e L.D. 26 vjeçar, në fshatin Bellanicë.
Pasi ky i fundit kishte dalë te porta e oborrit, mes tyre fillimisht kishte nisur një bisedë, e cila më pas kishte përshkallëzuar në përleshje fizike.
Gjatë incidentit, sipas të dhënave fillestare policore, E.H. e kishte goditur me thikë L.D. nga prapa, duke i shkaktuar lëndime trupore. Edhe E.H. kishte pësuar lëndime në fytyrë, në pjesën e syrit dhe në dorë.
Për rastin, Policia është njoftuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku njëri prej të përfshirëve kishte kërkuar ndihmë mjekësore.







