Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit M.B., i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
M.B., dyshohet se në cilësinë e përgjegjësit për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, ka keqpërdorur detyrën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i pandehuri M.B., gjatë vitit 2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, dyshohet se duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare lidhur me verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor”, thuhet në njoftim.
Ai dyshohet se ndihmoi N.J., në përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, duke i mundësuar kalimin e pronave në posedim të tij.
“Po ashtu, ekziston dyshimi se i pandehuri M.B., me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të të drejtave pronësore për personin tjetër me inicialet N.J., i cili aktualisht gjendet në arrati, ka ndihmuar në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, duke mundësuar që prona publike në mënyrë të kundërligjshme të kalojë në emër dhe posedim të personit N.J”, njofton Prokuroria.
Në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit, në kuadër të veprimeve hetimore dhe me qëllim të parandalimit të tjetërsimit apo humbjes së pasurisë që dyshohet se ndërlidhet me veprimtarinë e kundërligjshme, ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e përgjithshme e të cilave dyshohet të arrijë në miliona euro. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Betimi per Drejtësi





