Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me vdekjen tragjike të të riut, Triumf Ferati, i cili është djali i ish-kryetarit të Istogut, Fadil Ferati dhe vëllai i kryetarit aktual, Ilir Ferati, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka ngushëlluar familjen Ferati, teksa ka thënë se nuk ka fjalë për ta përshkruar dhimbjen për këtë humbje.
Sipas tij, ikja e hershme e Triumfit është humbje për Istogun dhe gjithë LDK-në, teksa u shpreh se i qëndrojnë afër familjes.
“Me të na iku dhe një mik, një aktivist e një njeri i jashtëzakonshëm. Pas vete na la veçse kujtimet, ato që të përmallojnë në plotni. Triumfi, apo Trimi siç e thërrisnim të gjithë, ishte një djalë i urtë e i dashur – ai gjithnjë rrezatonte përplot ngrohtësi. Tregonte kujdes e shprehte mbështetje ndaj secilit prej nesh! I kishte ngjarë të atit; bashkëshortit tuaj, asnjë habi.
Ikja e tij e hershme është humbje jo vetëm për familjen tuaj, por dhe gjithë qytetin e Istogut e gjithë Lidhjen Demokratike të Kosovës!
Në këto momente të rënda, unë e secili anëtar i Lidhjes, qëndrojmë afër me ju, me Besën e me Ilirin. Qenka e rëndë vizita në shtëpinë tuaj pa Trimin tonë mes jush. Zoti ju dhashtë forcë!”, shkroi Abdixhiku.
Ndryshe, i riu Triumf Ferati, u gjet pa shenja jete në varrezat e fshatit Gjurakoc të Istogut.
Sipas informacioneve të para, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës pranë varrit të babait të tij.
Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur hetimet lidhur me rastin.







