Lojërat e fatit janë aktivitete të ndaluara me ligj, por shteti po vazhdon të sfidohet nga persona e grupe kriminale që ushtrojnë këtë veprimtari ilegale. Bixhozi i paligjshëm siç duket po lulëzon edhe në Podujevë dhe një rast i tillë u zbulua së fundmi, raporton Gazeta Sinjali.
Një person që po dyshohet se ka organizuar lojëra fati në një rrugën “Xhemajl Mustafa” përfundoi në prangat e Policisë të mërkuren në mbrëmje dhe tashmë ndodhet në mbajtje.
Bazuar në informacionet që ka Sinjali, pasi Policia është vënë në dijeni lidhur me informacionet për organizimin e lojërave të tilla, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme që çuan në identifikimin e të dyshuarit.
Në lokalin ku i dyshuari organizonte lojëra fati, Policia si prova materiale ka gjetur dhe ka sekuestruar një shtëpizë kompjuteri, një laptop, një thikë dhe disa stikera- fatura.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Ndërkaq, rasti është inicuar si “Organizimi i skemave piramidale & armëmbajtje pa leje”.