Prokuroria Speciale, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të pandehurit M.D, për shkak të kryerjes së veprave penale: “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 par. 6 lidhur me par 2 dhe nenin 31 të KPRK-s, si dhe për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm” nga neni 404 par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-ë.
Sipas njoftimit për media, pas sigurimit dhe analizimit të provave personale dhe materiale, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri M.D, më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale.
“Po ashtu, prokurori nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas ligjit, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal”, thuhet në njoftim.