Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka parashtruar tri ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për procesin zgjedhor.
Lushaku ka thënë se “Partia në pushtet paska nisë ankesa për procesin zgjedhor, me qëllim të vazhgitjes së certifikimit”.
“Arsyeja është e thjeshtë: S’po ka numra, ashtu siç donte. E, pra mendësia absolutiste e ‘500K zemrave’ nuk ja doli, e tash turren me kontestu procesin e zgjedhjeve”, ka shkruar ajo, transmeton Telegrafi.
Tutje, ajo ka thënë se është e dukshme që rritja e LDK-së është pengesa kryesore për ta.
“E po, rritja e LDK-së është vet puna e pandalshme e shumë aktivistëve e bashkatdhetarëve tanë që s’u ndalën asnjëherë”, tha mes tjerash ajo.
Ndryshe, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur për Telegrafin se KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik.
“KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, tha ai.
Poashtu sot Lëvizja Vetëvendosje sërish ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për manipulim të votave që kanë ardhur me postë nga mërgata.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se kërkojnë hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm.
“Është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm. Sikurse, shkeljet dhe parregullsitë e evidentuara tashmë i kemi raportuar në polici dhe prokurori”, ka theksuar ai./Telegrafi/