Policia e Shqipërisë ka arrestuar tre të rinj, pasi ata dyshohet se kishin marrë peng një ndërtues 32-vjeçar, nga i cili kërkonin dy milionë euro.
Ngjarja ka ndodhur më 31 mars, por dy prej autorëve, Hysen Neza, 33 vjeç dhe Kevin Neza 25 vjeç, janë prangosur sot nga Policia e Tiranës.
Ndërkohë, 28-vjeçari Jurgen Neza, vëlla me Hysenin, është shpallur në kërkim.
Dy vëllezërit dhe kushëriri i tyre, rezultojnë emra të njohur për policinë, me precedentë penalë për vjedhje dhe përfshirje në konflikte të ndryshme.
Personi i marrë peng rezulton të jetë një biznesmen nga Divjaka, i cili ishte në shënjestër prej kohësh nga të dyshuarit.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare.”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.
Kurse, sipas mediave shqiptare, autorët i kanë monitoruar me kujdes lëvizjet e tij gjatë ditëve të fundit, duke përgatitur skenarin e rrëmbimit.
Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, ku biznesmeni ishte duke konsumuar një kafe.
Biznesmeni, që merret me ndërtim, është mbajtur gjithë natën në magazinë në Xhafzotaj, duke u dhunuar dhe më pas në mëngjes është lënë i lirë. Identifikimi i autorëve është bërë nga kamerat e sigurisë përgjatë zonave ku kanë kaluar pasi gjatë gjithë kohës kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të zeza.






