Partia Socialdemokrate është duke protestuar para hotelit ku Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova pritet të mbajë konferencë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, PSD ka dalë me një reagim ku ka njoftuar për arrestimin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, të cilin e quajnë totalisht jashtë çdo racionaliteti.
Postimi i plotë:
Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë së Kosovës ka arrestuar sot kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajn, teksa ishte rrugës për një takim.
Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti. Përderisa nuk ka marrë as ftesë nga gjykata dhe në të njëjtën kohë çdo ditë është në rutinën e tij dhe mund të gjindet lehtësisht, kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveç se presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike.
Prioriteti dhe zelli në të cilin janë vendosur anëtarët e PSD-së për “shqyrtim rastesh” lë dyshime se kjo po ndodhë qëllimshëm, meqë një numër të madh rastesh e kanë së bashku me antëtarët e VV-së, duket që mësyrja është kryesisht ndaj PSD-së.
Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt.