Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se të gjitha rezultatet e analizave konfirmojnë se mishi i bardhë i pulës që tregtohet në Kosovë, është i sigurt.
Përmes një njoftimi, AUV thotë se kishte ndërmarr veprime për të hequr dyshimet për konsumatorët kosovarë, pas raportimeve se mishi i pulës me origjinë nga Brazili kishte rezultuar pozitiv në Shqipëri.
“Me një gjurmim të plotë, duke vendosur masa shtesë kontrolli duke përfshi edhe marrjen e mostrave. Kufizime të shitjes deri në konfirmim përmes rezultateve të analizave laboratorike. Sot janë nxjerr rezultatet të cilat kanë konfirmuar, se mishi i cili ka qenë duke u tregtuar dhe ai qe ishte duke u importuar, është i sigurt për konsum dhe i plotëson kriteret ligjore për tregtim”, thuhet në njoftim.
Më tej, Agjencia e Ushqimit thotë se mostrat e mishit të pulës (fileto-breast) me origjinë nga Brazili janë testuar në aspektin mikrobiologjik, në parametrat e prezencës se Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Enteritidis.
“Testet janë kryer me ANSR metodë e avancuar për amplifikimin e ADN-së se Salmonelles spp. Të njëjtat janë konfirmuar edhe me metodën klasike e bazuar në ISO 6579-1. Limitet të përcaktuara sipas rregullores për kriteret mikrobiologjike në produktet ushqimore Nr. 27/2012 , si dhe plotësim ndryshimit 09/2018. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjithmonë do të veprojë konform legjislacionit në fuqi, për të hequr dyshimet e konsumatorit mbi çdo pasiguri në produkte. Po punojmë çdo ditë qe për sigurinë e ushqimit në vend, të besohet si fakt dhe si perceptim”, thotë më tej AUV, njofton Klankosova.tv.