REAGIM URGJENT – APEL INSTITUCIONEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Avokatja Eranda Mahmuti, në cilësinë e avokates së familjes Matarova, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë që i mori jetën dy vëllezërve, Hajdar dhe Bujar Matarova.
Mahmuti ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Matarova, duke theksuar se kjo humbje e rëndë nuk mund të kompensohet me asgjë.
Përtej dhimbjes së madhe, avokatja Mahmuti ka bërë apel që kjo tragjedi të shërbejë si alarm për institucionet e Republikës së Kosovës dhe për rritjen e sigurisë në komunikacion.
“Sa jetë të tjera duhet të humben në rrugët tona që siguria në komunikacion të trajtohet si prioritet shtetëror?”, është thirrja e saj drejtuar institucioneve.
Ajo ka kërkuar kontrolle më rigoroze, masa konkrete parandaluese, mbikëqyrje më serioze të trafikut, përmirësim të sigurisë rrugore dhe zbatim të pakompromis të ligjit ndaj kujtdo që rrezikon jetën e qytetarëve.
Sipas Mahmutit, pas çdo statistike të viktimave qëndron një njeri dhe një familje që mbetet përgjithmonë me dhimbjen e humbjes.
“Rasti tragjik i familjes Matarova nuk duhet të mbetet vetëm një lajm i radhës. Duhet të jetë thirrje serioze për veprim dhe përgjegjësi.”
Në fund, avokatja Eranda Mahmuti i ka shprehur familjes Matarova ngushëllimet më të thella dhe forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.
Hajdari dhe Bujari u prehshin në paqe.






