Institucionet kosovare shpenzuan mbi 31 milionë euro për karburante vetëm për 1 vit, një të dhënë të tillë të Zyrës Kombëtare të Auditimit e mohoi ministri i Financave, Hekuran Murati, duke pretenduar se kjo shifër është vetëm 10 milionë dhe se ky institucion i pavarur mund të ketë bërë “lëshim teknik”, gjë që u kundërshtua nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila e cilësoi këtë arsyetim të Muratit si “mashtrim” e “propagandë”.
Institucionet kosovare përfshirë edhe Qeverinë aktuale të Kosovës, sipas Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023 kanë shpenzuar plotë 31 milionë e 66 mijë euro vetëm për karburante për 1 vit kalendarik.
Një gjë e tillë u mohua nga ministri i Financave, Hekuran Murati, duke pretenduar se shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe atë lokal, është mbi 10 milionë euro, ndonëse një gjë e tillë nuk potencohet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Në vlerësimin e tij shifra prej 31 milionë euro mund të jetë përmbledhje që përmban edhe shumat që janë shpenzuar për naftë për ngrohje, ose dru zjarri për ngrohje.
Me këtë shpjegim të tij nuk u pajtua ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, duke i cilësuar ato si “mashtrime” e “propagandë”.
Fakti është kur e them se Zyra Kombëtare e Auditorit shkruan në raport se janë shpenzuar 31 milionë euro për karburante, unë bazohem pikërisht në raport zyrtar, në raport të publikuar që është lehtë e vërtetueshme”, shkroi ajo në platformën sociale, Facebook.
Megjithatë Murati insistoi që shifra prej 31 milionë eurove është e pasaktë, duke aluduar se kjo shifër e cekur në Raportin Vjetor të Auditimit – i publikuar në gusht të këtij viti – mund të ketë ndonjë “lëshim teknik” pikërisht në shifrat që tregojnë për shpenzimin e karburantit për 1 vit nga institucionet kosovare.
Albanian Post ka kuptuar nga burime se Zyra Kombëtare e Auditimit po përgatitet një sqarim për këtë çështje.
Mu për këtë deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës ka kujtuar se Zyra Kombëtare e Auditimit udhëhiqet nga Vlora Spanca e cila është motra e Këshilltares së Kryeministrit të Kosovës.
“Nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të vetë e ju mbron juve”, ka shkruar ajo.
Çfarë ndodhi?
Albanian Post, raportoi se sipas Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023, institucionet kosovare kanë shpenzuar plotë 31 milionë e 66 mijë euro vetëm për karburante për 1 vit kalendarik.
Sipas një përllogaritjeje gjatë vitit 2023 institucionet kosovare në baza mujore ka shpenzuar mbi 2.5 milionë euro vetëm për karburante.
Këto shpenzime marramendëse për karburante në vitin 2023, kanë diskrepancë të madhe në kontekstin krahasues me vitet paraprake.
Nëse bëhet një krahasim me vitin 2019, kur Qeveria drejtohej nga një kastë tjetër politike, diferenca rezulton të jetë tejet e madhe.
Sipas raportit vjetor të auditimit të vitit 2019, Qeveria asokohe e Kosovës kishte shpenzuar vetëm 8 milionë e 522 mijë euro për karburante.
Kur krahasohet me vitin 2023 del që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpenzuar 22 milionë e 544 mijë euro më shumë karburant se Qeveria e udhëhequr asokohe nga Ramush Haradinaj për 1 vit.
31 milionë e 66 mijë euro – njëjtë si gjatë vitit 2023 – ishte shuma që Qeveria e Kosovës pagoi edhe gjatë vitit 2022 për karburante.
Ndërkohë shpenzimet për karburante nuk janë specifikuar në raportin e auditimit të vitit 2021.
Sipas raportit të auditimit të vitit 2023 për 12 muaj Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 51 milionë e 555 mijë euro për furnizimet mjekësore për krejt qytetarët e vendit apo mbi 20 milionë euro më shumë se për karburante.
I njëjti korrelacion në mes të shpenzimeve për karburante e furnizimeve mjekësore është edhe gjatë vitit 2022./Albanian Post