Qentë endacakë rrezikojnë banorët e kryeqytetit. Prezenca e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit është bërë diçka e zakonshme, ndërsa Komuna e Prishtinës e ka gati qendrën për trajtimin e kafshëve në Hajvali.
Menaxheri i Qendrës së Trajtimit të qenve endacakë, Habib Qorri, ka deklaruar për Ekonomia Online, se si pasojë e motit të ligë, janë detyruar t’i ndërpresin punimet.
Kjo qendër, sipas tij do të jetë në funksion shumë shpejtë dhe se kanë mbetur disa punë të lehta brenda objektit.
“Qendra për trajtimin e kafshëve, më saktësisht të qenve endacakë, është të them në fazën finale të realizimit të p
Ai tregon se për shkak të temperaturave të ulëta, janë disa punë ndërtimore të cilat janë ndalë për shkak se kërkohen kushte klimatike më optimale për t’u përfunduar. “Në temperatura nën zero ato punë veç dështojnë, kështu që nuk kemi guxuar të vazhdojmë. Janë shumë të ndjeshme sidomos pjesa e dyshemesë që është material shumë i ndjeshëm. Pra, jemi në finalizim të punëve brenda qendrës, domethënë jemi krejt në përfundim të punëve”, ka deklaruar Qorri.
Ai shton se bashkëpunim kanë edhe me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit.
“Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me institucionin e veterinarisë, dhe do t’iu përshtatemi të gjitha kushteve dhe specifikave të cilat kërkohet sipas udhëzimeve administrative dhe Ligjit për Përkujdesjen ndaj Kafshëve të cilat janë në fuqi. Në bazë të tyre, ne duhet të përgatisim edhe funksionalizimin e qendrës, mandej përgatitja e stafit për arsye se ne kemi pasur kontrata të gatshme me operatorët të cilët i kanë plotësuar të gjitha kushtet për t’u marrë me këtë veprimtari që edhe tani kemi kontrata të tilla në realizim. Mirëpo që ne drejtpërdrejt të merremi me këtë proces, s’kemi brenda komunës kuadro të gatshme. Kështu që të gjitha këto janë duke u bërë përgatitje pas përfundimit të punëve ndërtimore, të vijë faza e funksionalizimit të qendrës”, u shpreh Qorri.
E kostoja e kësaj qendre kap shifrën e afër 250 mijë eurove.
“Komplet ndërtimi i qendrës me të gjitha punët ndërtimore, është 249 mijë euro kontrata dhe si e tillë është veç pa punë shtesë, vetëm ashtu si ka qenë projekti është realizuar. Tash jemi duke e bërë një përshkrim të punëve për arsye se ne deri më tani kemi pasur operatorë të cilët i kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe ne jemi marrë vetëm me menaxhimin, monitorimin e punës së operatorëve, kurse tash ne do t’i marrim të gjithë edhe stafi që do të merret me kapjen e qenve edhe ata që do të merren me mirëmbajtjen e qendrës, pastrimit, ata që do të merren me trajtimin që duhet të jetë së paku një veterinar dhe dy ndihmës të profesionit të njëjtë, të profilit të njëjtë kështu që jemi duke e bërë një përshkrim të pozitave të punës, mandej është edhe sigurimi, është një numër i konsiderueshëm i stafit që duhet kompletuar, për të funksionalizuar qendrën”, u shpreh ai.
Teksa ka folur për funksionimin e kësaj qendre, Qorri tha se një veteriner do të përkujdeset për 8 qen brenda ditës. Thotë se do të kenë kapacitete të mjaftueshme.
“Kapaciteti është i mjaftueshëm ashtu siç parashihet me udhëzime administrative për arsye se aty vazhdimisht duhet të kemi një veterinar, varësisht prej nevojës mund të rritet kapaciteti për intervenime mirëpo, sipas përvojës që kemi deri më tani operatorët që kemi pasur një veterinar mund të trajtojë 7 deri në 8 qen brenda ditës, aty nëse çdo ditë trajtohet një numër i tillë qysh kemi pasur, gjithmonë i referohem përvojës që kemi pasur deri më tani që është një përvojë goxha e mirë dhe e suksesshme se janë kryer të gjitha punët ashtu siç kanë qenë të planifikuara dhe të parapara me udhëzimet administrative që janë në fuqi”, deklaroi Qorri.