Ambasadori i Britanisë së Madhe në OSBE, ka pritur Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.
Në këtë mbledhje është diskutuar raporti i Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, McGurk, ku Mbretëria e Bashkuar tha se mirëpret mbajtjen e zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa shprehu urgjencën për formimin e qeverisë së re.
“Mbretëria e Bashkuar mirëpret zgjedhjet parlamentare paqësore dhe konkurruese që u mbajtën në Kosovë në shkurt, dhe mbështetjen e rëndësishme që Misioni i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne vazhdojmë të theksojmë tek bashkëbiseduesit në Kosovë urgjencën e formimit të qeverisë”.
“Mbretëria e Bashkuar ndan shqetësimet e ngritura në raportin e Misionit mbi nivelin e tensioneve në katër komunat veriore gjatë periudhës së raportimit. Jemi veçanërisht të shqetësuar për natyrën e pa-koordinuar të mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veri të Kosovës, të cilat ofrojnë shërbime jetike për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera jo-shumicë”, thuhet në deklaratën e Mbretërisë së Bashkuar.
Tutje, Mbretëria e Bashkuar tha se e inkurajon Qeverinë e Kosovës që të sigurojë që komunitetet jo-shumicë të kenë rol të barabartë në të ardhmen e vendit dhe të përmbush angazhimet e saj si një shtet multi-etnik.
Në këtë raport po ashtu iu kërkua Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit për sulmin ndaj trupave të KFOR-it, në Banjska dhe të përmbushë angazhim për bashkëpunim në hetimin e sulmit ndaj Kanalit të Ibër-Lepencit.