Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të organizuar në Mynih për viktimat civile të sulmit terrorist në Qendrën Tregtare Olympia (OEZ), ku ishin të pranishëm edhe presidenti federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kryetari i Mynihut, Dominik Krause, familjarë të viktimave dhe qindra qytetarë.
Gjatë ceremonisë u nderua kujtimi i nëntë viktimave të sulmit të vitit 2016, mes të cilëve edhe tre të rinj me prejardhje nga Kosova: Armela Segashi (14), Sabina Sulaj (14) dhe Dijamant Zabergja (20).
Në fjalën e tij, Bulliqi theksoi se kujtimi për viktimat do të mbetet i përhershëm dhe bëri thirrje për unitet në luftën kundër terrorizmit, racizmit dhe çdo forme të urrejtjes. Ai u shpreh se dhimbja e familjeve të viktimave është dhimbje e përbashkët dhe se tragjedi të tilla nuk duhet të përsëriten.









