Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, priti sot në takim veterinerin e njohur lokal, Nazmi Lahu, me qëllim që të informohet nga afër për gjendjen shëndetësore të kafshëve në territorin e komunës dhe për sfidat me të cilat përballet ky sektor i rëndësishëm.
Gjatë diskutimit u theksua nevoja për forcimin e masave parandaluese kundër sëmundjeve infektive dhe për përmirësimin e kushteve të mirëqenies së kafshëve në ferma. U vu theksi edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve komunale dhe profesionistëve të fushës veterinare, për të garantuar një mbulim më të mirë të shërbimeve veterinare në të gjitha zonat e komunës.
Kryetari Bulliqi vlerësoi lartë angazhimin dhe përkushtimin e veterinerëve në mbrojtje të shëndetit të kafshëve dhe theksoi rëndësinë që ka ky sektor për sigurinë ushqimore, shëndetin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe blegtorisë në Podujevë.
Ai u zotua për mbështetje të mëtejme institucionale në këtë drejtim dhe nënvizoi domosdoshmërinë e një qasjeje të koordinuar për ruajtjen e standardeve veterinere dhe avancimin e shërbimeve për fermerët dhe blegtorët lokalë.