Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim të akuzuarin Çedomir Aksiq për krime lufte në periudhën janar-maj 1999 në fshatrat e Komunës së Shtimes. Ky gjykim është zhvilluar në mungesë
Aktgjykimi ndaj Aksiqit u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani- Hajra, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Aksiq është fajtor për veprën penale që i vihet në barrë dhe dënohet me 15 vjet burgim, i cili dënim ekzekutohet kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë.
I akuzuari obligohet të paguajë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin e viktimave të krimit, ndërsa palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi.
Ndryshe, më 20 nëntor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte nisur gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i akuzuar për krime lufte. Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Çedomir Aksiq, i cili akuzohej për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Ai ngarkohet se prej periudhës janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal të uniformuar, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integriteti trupor ose shëndetit dhe frikës ndaj popullatës civile.