Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, i cili tha se nuk është koha për njohje reciproke nga Serbia, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çitaku ka quajtur kryeministrin e vendit, Albin Kurti, amator dhe të padijshëm teksa ka kërkuar llogari nga ai se si është katandisur procesi deri në atë pikë sa aleatët ndërkombëtarë të bëjnë këso deklaratash.
“Kryeministri duhet të na e sqarojë se si qenka katandisur procesi deri në atë pikë sa aleatët tanë po thonë tani që nuk është koha për njohje reciproke? Duhesh me qenë tej mase amater e I padijshëm që në kontekstin gjeopolitik më të favorshëm për Kosovën në 15 vitet e fundit, në vend të marrëveshjes për njohje, të kemi një status quo të re, pa njohje dhe me asociacion”, ka shkruar ajo.
Ndryshe në një intervistë për gazetarin, Tim Judah, ambasadori Hovenier është shprehur skeptik se në këtë kohë, pas tensioneve të fundit në veri, Serbia mund ta njohë Kosovën.
“Ai më tregoi se, përderisa qëllimi i fundëm ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen””, rrëfen Judah, duke parafrazuar dhe cituar ambasadorin Hovenier.
Hovenier ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë hap i përkohshëm drejt njohjes mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.
“Nëse e shihni këtë marrëveshje, këtë angazhim si një hap të përkohshëm drejt saj… ka mundësi reale”, ka thënë Hovenier.







