Deputetja Donika Gërvalla ka reaguar ndaj situatës së krijuar sot në seancën konstituive, ku PDK, LDK, Nisma dhe deputetë të partive të tjera nuk e votuan raportin e mandateve për deputetë, me arsyetimin se anëtarë të Qeverisë, duke mos dhënë dorëheqje nga pozitat, po bëjnë shkelje kushtetuse.
Gërvalla shkruan:
Maskat ranë dhe bllokuesit po shihen.
Opozita e vjetër dhe e re në Kuvendin e Kosovës sot votoi kundër konstituimit të Kuvendit, kundër vetvetes dhe kundër rezultateve të certifikuara të KQZ-së.
Ka pasur situata kur janë bllokuar qeveri përmes bojkotit apo votës kundër, por që deputeti i zgjedhur me votën e qytetarit, përfshi këtu edhe ata të përzgjedhurit e postierit në Zvicër e Gjermani, të votojë kundër vërtetimit të thjeshtë e formal të mandatit të vet, nuk ka ndodhur.
Pikërisht këto janë metodat e atyre që, të dëshpëruar nga humbja për herë të dytë e pushtetit, tash sulmin e kanë orientuar jo vetëm kah fituesi bindës i zgjedhjeve, por edhe kah funksionimi i Republikës së Kosovës. Ky sulm ndaj funksionimit të vet Republikës nuk duhet të mbetet pa pasoja.