Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është pranuar në Akademinë Ushtarake Mjekësore (VMA) në Beograd menjëherë pas kthimit të tij nga SHBA-ja.
Siç raporton Blic, Vuçiq është pritur nga Ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar dhe Dragan Dinçiq, ish-mjeku i presidentit Boris Tadiq.
Vuçiq u sëmur gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas së cilës kërkoi ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve jozyrtare, pas ekzaminimit, ai vendosi ta ndërpresë vizitën e tij dhe të kthehet në Serbi.
Kabineti i Presidentit të Serbisë njoftoi se publiku do të informohet më hollësisht për gjendjen e tij shëndetësore në ditët në vijim.
Vuçiq udhëtoi për në SHBA më 30 prill dhe ishte planifikuar të takohej me zyrtarë të lartë të Partisë Republikane, si dhe me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.