Dëshmitari Sokol Dobruna ka thënë në Hagë se ka probleme me kujtesën, kur u pyet se a i kujtohet që është pyetur në rast se ka parë ndonjë të burgosur serb të vdekur në burgun e Kleçkës.
“Kam problem me këtë kujtesë, ta haj dreqi. Nuk më kujtohet. S’është me rëndësi, mund të jetë. Nuk e mohoj, ashtu po mendoj”, tha Dobruna.
“Më konkretisht, a ju kujtohet që keni bërë sqarime në deklaratën tuaj, duke më thënë mua që vendi ku e keni parë këtë të burgosur ka qenë një qeli brenda një burgu, a ju kujtohet kjo dëshmitar?”, pyeti prokurori John Capin, ndërsa Dobruna mohoi me kokë.
Më pas, prokurori pyeti dëshmitarin se a i kujtohet që ka korrigjuar disa fjalë për të cilat ai kishte pretenduar se nuk ishin përkhyer si duhet.
“Nuk e di për cilat fjalë po flitni”, tha Dobruna.
Më pas, prokurori ia prezantoi dëshmitarit një fjalë që ai pretendohet se e ka korrigjuar. Megjithëse insistoi prokurori në freskimin e kujtesës për dëshmitarin, ai tha që nuk i kujtohet.
“Thuaj bre që i kam harru krejt, a e di që i kam harru krejt?! Kallëzoju”, i tha dëshmitari avokatit të tij, Arianit Kocit.
Me kërkesën e prokurorit Capin, trupi gjykues urdhëroi pushim prej dhjetë minutash në mënyrë që Dobruna të konsultohet me avokatin e vet. Ndërsa, kur palët u kthyen në sallë, seanca kaloi në sesion privat për pak.