Doruntinë Maloku nuk do të jetë më drejtoreshë e Pronës dhe Kadastrit në komunën e Prishtinës. Vendin e saj do ta zë një përfaqësues i AAK-së, Brahim Mehmetaj.
Maloku ka thënë do të jetë pjesë e shtabit të LDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Me kërkesë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, i jam bashkuar Shtabit të LDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, e rrjedhimisht për ta dhënë përkushtimin maksimal për suksesin e LDK-së, sot, jam liruar nga detyra e Drejtores së Pronës dhe Kadastrit të Kryeqytetit.
Falënderoj kryetarin Rama dhe gjithë ekipin e Komunës së Prishtinës për punën e përbashkët.
T’u shërbej qytetarëve të Prishtinës për këto 3 vjet, ka qenë një nderë dhe një rrugëtim i jashtëzakonshëm.
Bashkë me stafin e të dy Drejtorive, kemi bërë punë të jashtëzakonshme në transformimin e Kryeqytetit.
Këto dy Drejtori, vetëm gjatë këtij viti, pra, nga 1 Janar 2024 deri më 25 Dhjetor 2024, kanë arritur të kryejnë mbi 44.000 lëndë, duke shënuar kështu rekord në përfundimin e lëndëve, në masën mbi 99%.
Jam shumë krenare për angazhimin e secilit punonjës dhe i falënderoj të gjithë për përkushtimin e tyre.
Do të vazhdoj me të njëjtin përkushtim e angazhim në ekipin e Kryetarit Abdixhiku, tash – për ta fituar Kosovën, ashtu siç e fituam Prishtinën.
Shihemi më 9 Shkurt” shkruan Maloku në njoftim./Indeksonline/