Këngëtarja e njohur shqiptare, Dafina Zeqiri, ka reaguar publikisht ndaj kritikave që ka marrë për faktin se po vazhdon të performojë edhe gjatë periudhës së shtatzënisë.
Në një postim në InstaStory, ajo ndau një fotografi me barkun e rrumbullakosur, të cilën e shoqëroi me një mesazh të fuqishëm, duke sqaruar arsyen pse vazhdon të jetë aktive në skenë pavarësisht gjendjes së saj.
“Unë jam shtatzënë dhe vazhdoj të performoj në koncerte, sepse kjo është arsyeja përse e kam nisur këtë rrugëtim që në fillimet e mia. Që nga fëmijëria, performanca dhe muzika kanë qenë terapi për mua – më kanë ndihmuar të përballem me depresionin, të shprehem lirshëm dhe të përballoj sfidat e jetës, qofshin ato emocionale apo fizike. Edhe kur nuk jam ndier mirë, skena ka qenë vendi im i shërimit”, ka shkruar ajo.
Dafina theksoi se për të muzika nuk është thjesht një profesion, por një pasion i pastër që e ka ndjekur që nga fëmijëria.
“E bëj këtë punë jo për para, por nga dashuria e pastër për muzikën dhe artin. Besoj se çdo grua ka të drejtën dhe fuqinë të vazhdojë karrierën e saj gjatë shtatzënisë, për sa kohë është e shëndetshme dhe ka një shtatzëni të sigurt. Të jesh shtatzënë nuk do të thotë se je e sëmurë apo se duhet të ndalosh jetën tënde”, ka shtuar ajo.