Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka pretenduar se asnjë nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk ka më shumë veteranë e të burgosur politik sesa partia që ai përfaqëson.
Azemi në një intervistë për ATV’në deklaroi kështu, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje prin edhe me numër të aktivistëve që janë angazhuar në celulat e hershme të UÇK’së, shkruan Insajderi.
“Shikoji pak grupet parlamentare, shikoje pak secilin subjekt politik dhe përfaqësues në Kuvendin e Republikës, asnjë grup parlamentar nuk ka më shumë veteranë të UÇK-së sesa Lëvizja Vetëvendosje. Asnjë grup i asnjë subjekti politik nuk ka më shumë të burgosur politik e aktivistë që janë angazhuar qysh në faza të hershme për çlirim ndaj okupatorit serb”, deklaroi Azemi.
Ai pati akuza ndaj partive politike opozitare, duke thënë se fshihen nën logon e UÇK’së.
“Një opozitë e tillë, e cila ende edhe 26 vite pas luftës të fshihet pas logos e mbrapa UÇK-së, e që përkundrazi, nëse ka një subjekt politik dhe figura politike që e kanë dëmtu këtë logo, janë po këta që e kanë votu Gjykatën Speciale, që i kanë harru të gjithë ata veteranë, invalidë e dëshmorë dhe madje madje, vetëm për përfitime të ngushta partiake i kanë rritë dhe shumëfishu edhe numrat e veteranëve”, deklaroi më tej deputeti i VV’së.







