Me rastin e Ditës së Flamurit, Ekrem Hyseni, kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, bëri homazhe pranë shtatores së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova dhe figurave të tjera të shquara kombëtare, përfshirë heronjtë e Kosovës: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushevci, Edmond Hoxha, Ali Ajeti, si dhe veprimtarin Adem Demaçi.
Në fjalën e tij, Hyseni e vlerësoi 28 Nëntorin si një nga datat më të rëndësishme historike për kombin shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ngjarjeve që lidhen me këtë ditë, si ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.
“28 Nëntori është një datë që ngërthen në vete sakrificat dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për lirinë dhe të ardhmen e kombit tonë. Kjo ditë nuk është vetëm një rikthim në historinë tonë, por duhet të shërbejë edhe si reflektim për rrugën që kemi përpara,” u shpreh Hyseni.
Në këtë ditë të shënuar, qytetarët e Podujevës dhe mbarë vendi kujtojnë me krenari historinë e lavdishme dhe figurat që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.