Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje ka denoncuar në Polici se është përballur periudhën e fundit me presion, ngacmime e kërcënime nga një 42-vjeçar, i cili pretendon se për disa vite ka qenë në lidhje dashurie me deputeten Balje, mëson Gazeta Sinjali nga burime brenda partisë, ku bën pjesë Balje.
Ditë më parë, si rezultat i shqetësimit të përjetuar tash e një kohë, deputetja Balje ka kërkuar ndihmën e Policisë, për ta mbrojtur nga ngacmimet dhe kanosja serioze për jetën, që ajo pretendon se ka marrë nga i dyshuari B.S.
Denoncimi i saj menjëherë ka aktivizuar Policinë për arrestimin e të dyshuarit, i cili pas intervistimit dhe përballjes me denoncimin e deputetes Balje, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë dhe në ndërkohë është kërkuar dhe aprovuar masa e paraburgimit për 30 ditë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se deputetja Balje dyshohet se u përballë me ngacmime, kanosje, pengim e thirrje të bashkëshortorit, kolegëve të saj të partisë, tentim për shantazh përmes fotove e videove, kërcënim me jetë, e ngacmime të vazhdueshme.
Gazeta Sinjali iu sjellë më poshtë detajet e rëndësishme për këtë rast, që po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe është konfirmuar pjesërisht nga deputetja Balje, si dhe nga ish-avokati i të dyshuarit.
Si u zbulua rasti, çka pretendon i dyshuari dhe çka deklaroi Balje?
Persona të afërt me anëtarët e partisë ku bën pjesë deputetja Balje, në kushte anonimiteti, kanë rrëfyer për Gazetën Sinjali detaje nga ky rast që ka tronditur Baljen dhe njerëzit e saj të afërt, të cilët dyshohet se janë trazuar nga thirrjet e shumta telefonike, të personit të dyshuar. I dyshuari tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit dhe po hetohet për veprat ngacmim dhe kanosje. Ai ka mohuar dyshimet e ngritura dhe është mbrojtur duke pretenduar se nuk ka të bëjë me ngacmim, por me një raport të afërt, të cilit i është referuar si lidhje dashurie.
Kjo është konfirmuar për Sinjalin edhe nga avokati, i cili tutje shtoi se i dyshuari pretendon se “ka pasur raporte, lidhje dashurie një kohë të gjatë… ai është deklaru vet. Ai e thojke lidhje. Është përmendur edhe në deklaratat e tij që ka pasur takime, telefonata, shkëmbime sms-ësh.”
Sipas informacioneve të para, për gjashtë vite me radhë, deputetja Duda Balje njihet me të dyshuarin, i cili është nga Deçani, kohën e fundit ka jetuar mes Pejës e Zvicrës, për shkak të biznesit të tij, të cilin e menaxhon. Gjatë periudhës kur pretendon se pasur kontakt me deputeten, ai po dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar presion, duke e ngacmuar e kërcënuar, me qëllim të frikësimit në lidhje me disa foto/video që i posedon.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije për Sinjalin, se prej kur palët kanë rënë në kontakt me njëri-tjetrin, pra nga viti 2016 deri në fillim të këtij muaji, ai dyshohet se është përfshirë në sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme, duke komunikuar me Baljen, me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, duke i shkaktuar asaj shqetësim të madh emocional.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, deputetja Balje në vazhdimësi i ka kërkuar të dyshuarit që të mos e shqetësojë me veprime të tilla dhe për ta parandaluar shqetësimin e kishte bllokuar qasjen në numrin e saj dhe në të gjitha rrjetet e mundshme sociale, por përkundër kësaj, i dyshuari kishte vazhduar tentimin për të rënë në kontakt me deputeten Balje, duke mos kursyer miqtë e bashkëpartiakët e saj.
Të njëjtit persona, të afërt me partiakët e Baljes, kanë bërë me dije se deputetja ka pranuar pothuajse çdo ditë thirrje nga i dyshuari. Në disa raste, siç thonë ata, ka ndodhur i dyshuari e ka telefonuar mbi 200 herë në ditë Baljen.
Këta të fundit thonë se në gjithë këtë rast, nuk është përfshirë vetëm deputetja, pasi i dyshuari e ka penguar me thirrje edhe familjen e saj, në veçanti bashkëshortin, e madje edhe anëtarët e partisë së Baljes, veprime këto që i ka ndërmarrë për ta frikësuar.
Ngacmimet e vazhdueshme që ka marrë, Balje është kërcënuar që të mos i raportojë në Polici. I dyshuari, siç merr vesh Gazeta Sinjali e ka kanosur seriozisht Baljen, duke e kushtëzuar se në rast se e denoncon në Polici, ai do t’ia publikojë disa fotografi dhe video të saj.
Përmes shantazhit e kanosjes në këtë formë, që të ketë kontakt me Baljen, qëllimi i të njëjtit dyshohet të ketë qenë humbja e reputacionit të Baljes, e cila është figurë politike që një kohë të gjatë në Kosovë dhe vazhdon të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës, për të disatën legjislaturë.
Të afërmit me anëtarët e partisë SDU, kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti që i parapriu arrestimit të të dyshuarit, ka ndodhur në javën e dytë të janarit, kur i dyshuari, i cili tentonte me çdo kusht të ketë një raport me Baljen, e ka kanosur me jetë deputeten. Bazuar në dëshmitë e deponuara në Polici, ky i fundit dyshohet t’i jetë drejtuar deputetes me fjalët “plumbin n’ball do ta jap”.
Gjithçka mori kthesë tjetër, kur organet e rendit u vunë në dijeni për rastin. Krejt çka kishte ndodhur u denoncua në Polici dhe i dyshuari u fut në telashe me ligjin, për shkak të veprave të kundërligjshme që dyshohet t’i ketë kryer për një periudhë të caktuar.
Veprimet e organeve të rendit lidhur me rastin
Në mesin e këtij muaji, i dyshuari përfundoi në prangat e Policisë dhe ndaj tij u nxor urdhër nga Prokurori i Shtetit për masën e ndalimit policor, nën dyshimet se ka kryer dy vepra penale “Ngacmimi” dhe “Kanosja”. Pas ndalimit të tij, burimet e Sinjalit thonë se Drejtoria e Krimeve të rënda në Policinë e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj të njëjtit, nën dyshimin e arsyeshëm se ka kryer këto dy vepra.
Ndërkohë, në bazë të të provave dhe informacioneve të mbledhura që mbështesin dyshimin se i njëjti ka kryer këto dy vepra, Prokurori ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve. Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, pasi është vlerësuar se nëse i dyshuarit lihet i lirë, ekziston rreziku se mund të arratiset për Zvicër.
Në seancën dëgjimore që është mbajtur, kur i i dyshuari ka dalë përballë gjyqtarit të procedurës paraprake, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë dhe të njëjtit ia është caktuar masa e paraburgimit.
Konfirmimi i rastit nga avokati që ishte caktuar sipas detyrës zyrtare
Kjo është konfirmuar edhe nga avokati që ishte caktuar sipas detyrës zyrtare, i cili ka bërë të ditur se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit për këto dy vepra penale dhe më pas familja e tij e ka njoftuar se e kanë angazhuar një avokat tjetër për ta mbrojtur të dyshuarin.
Në një prononcim për Sinjalin, i njëjti ka deklaruar se i dyshuari ka një version tjetër të asaj që kishte ndodhur dhe ka kundërshtuar që t’i caktohet masa e paraburgimit. Pas vendimit për paraburgim, avokati që ishte caktuar fillimisht njoftoi se ka bërë ankësë dhe më pas të gjitha shkresat ia ka dorëzuar mbrojtësit të ri të të dyshuarit.
“Po, është e vërtetë. Unë jom caktu me përfaqësu sipas detyrës zyrtare. Jom paraqitë edhe atë ditë e kemi mbajtë seancën, prej asaj faze kom vazhdu. E kom përfaqësu B.S., ndaj të dëmtuarës Duda Balje. E kemi mbajtë senacën edhe është marrë aktvendim për paraburgim për 30 ditë. Kundrejt këtij vendimi kam paraqitur ankesë.
Gjoja se ai ka pasur, raporte, lidhje dashurie një kohë të gjatë… ai është deklaru ai vet. Ai e thojke lidhje. Është përmendur edhe në deklaratat e tij që ka pasur takime, telefonata, shkëmbime sms-ësh. Ai e ka paraqitur një version tjetër, që ka pasur raporte, kontakte, nuk qëndron pretendimi pwr ngacmim e kanosje”.
Deputetja Balje mohon pretendimet e të dyshuarit – thotë se rastin ia ka lënë në dorë shtetit
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe deputeten Balje, e cila e ka mohuar kategorikisht pretendimin e të dyshuarit se kanë qenë në lidhje dashurie. Balje nuk e ka komentuar se si njihet me të dyshuarin, duke u shprehur se rastin ia ka lënë në dorë shtetit.
“Procesi është në hetim. Unë e di që ai e ka pranuar fajësinë te prokurori. Nuk kam çka me thënë unë, e kam lajmëru në Polici. Kam pasur problem dhe e kam lënë shteti me gjetë një zgjidhje për të. Nuk e komentoj këtë (kur pyetet për pretendimet e të dyshuarit se kanë qenë në lidhje dashurie). Krejt çka kam pas e kam thënë në Prokurori. Rasti është në hetim. Personi është manipulant i madh. Nuk është e vërtetë që kam pasur lidhje.”, tha Balje.
I dyshuari do të qëndrojë ndodhet në paraburgim, e gjatë kësaj kohe pritet të shihet nëse Prokuroria do të kërkojë vazhdimin e kësaj mase sigurie ndaj tij. Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por të njëjtit ende s’kanë kthyer përgjigje, teksa Prokurori i rastit ka deklaruar se do të përgjigjet përmes zyrës për informim.
Qëllimi i publikimit të këtij artikulli nuk është për të dëmtuar nderin apo autoritetin e personave të përfshirë, por për të sensibilizuar organet e ndjekjes, se sa lehtë mund të kanoset e ngacmohet një grua, madje qooftë edhe në pozita të lartë në institucionet shtetërore.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.