Hetimi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan i zhvilluar lidhur me një rast të keqpërdorimit të detyrës zyrtare rezultoi me ndalimin e një zyrtari komunal. Ndaj të dyshuarit tashmë është bërë kërkesa për paraburgim dhe së shpejti pritet të dalë para gjykatës, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari për këtë rast është zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Parteshit, i cili dyshohet se lëshoi certifikatë se është gjallë për një të vdekur për të mundësuar pensionin në Zvicër.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se zyrtari komunal i arrestuar është Stojan Stojanovic.
Sipas kërkesës se Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, më 12 nëntor 2020, në komunën e Parteshit, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që duke përdorur vulën zyrtare të Republikës së Kosovës ka konfirmuar certifikatën e të qenit gjallë të gjendjes civile dhe të vendbanimit të tani të ndjerës D.S., edhe pse e njëjta ka qenë e vdekur – ku në këtë mënyrë ka mundësuar marrjen e pensionit të shtetit zviceran personit tjetër në vlerë prej 22 mijë e 192 franga zvicerane.
I dyshuari tjetër është Zoran Stojanovic, nipi i të ndjerës, i cili ka paraqitur një dokument të lëshuar nga autoritetet zvicerane në emër të të ndjerës. me qëllim të verifikimit dhe konfirmimit nga zyrtari komunal.
Burimet e Sinjalit thonë se Stojan Stojanovic e ka vulosur këtë dokument me vulën zyrtare të Republikës së Kosovës dhe e ka nënshkruar në emër të të ndjerës duke i mundësuar kështu të dyshuarit tjetër Velizar Stojanovic, përfitimin e padrejtë të pensionit nga shteti zviceran.
Dy të dyshuarit e tjerë ndodhen jashtë shtetit dhe të njëjtit tashmë janë shpallur në kërkim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.