Velbert, mars 2026 – Një ngjarje e rëndësishme kulturore do të mbahet më 30 mars në qytetin e Velbertit në Gjermani, ku profesori dhe artisti i njohur shqiptar, Faton Aliu, do të prezantojë ekspozitën e tij personale.
Ekspozita do të hapet në ambientet e Bibliotekës Qendrore të qytetit, Stadtbücherei Velbert – Zentralbibliothek Forum Niederberg, duke filluar nga ora 18:00. Ky aktivitet pritet të tërheqë dashamirë të artit dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe gjerman.
Organizimi i kësaj ekspozite është bërë nga Shoqata “Partneriteti Velbert–Podujevë”, me përkushtimin e kryetarit të saj, Rrahman Islami, i cili njëkohësisht është edhe person kontaktues për bashkëpunimin ndërmjet dy qyteteve.
Kjo ekspozitë përfaqëson një mundësi të veçantë për promovimin e artit pamor shqiptar në arenën ndërkombëtare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Velbertit dhe Podujevës.
Organizatorët kanë shprehur mirënjohjen për kontributin artistik të Prof. Aliut dhe kanë ftuar publikun që të marrë pjesë në këtë ngjarje kulturore.







