Familja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka falënderuar të gjithë qytetarët që gjatë këtyre ditëve i kanë ngushëlluan për vdekjen e Haxhi Thaçit.
Pas përfundimit të të pamës, përmes një komunikate për media, familja Thaçi është shprehur mirënjohëse për gjithë mbështetjen e marrë nga shqiptarët e të gjitha trevave.
“Në emër të familjes Thaçi, familjes së ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi, pas përfundimit të të pames për kryefamiljarin tonë, Haxhi Thaçin, i cili ndërroi jetë ditë më parë, i falënderojmë të gjithë qytetarët që gjatë këtyre ditëve na ngushëlluan dhe ndanë dhimbjen me ne. Jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e madhe që morëm nga mijëra qytetarë anekënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe diasporës shqiptare, nga fjalët e mira dhe mirësia e tyre”, është thënë në komunikatën e familjes.
Më pas, kjo familje ka falënderuar Komunën e Skenderajt për mbështetjen në organizimin e të gjitha ceremonive për të ndjerin.
“Po ashtu, Komunën e Skenderajt e falënderojmë për mbështetjen e parezervë në organizimin e ceremonisë së varrimit dhe aktiviteteve të përkujtimit dhe ngushëllimit, të cilat u organizuan nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, z. Fadil Nura. Institucionet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe përfaqësitë diplomatike të shteteve mike i falënderojmë për telegramet e tyre të ngushëllimit, ndërsa liderët politikë shqiptarë i falënderojmë për thirrjet e tyre telefonike. Mirësia juaj do të mbetet përherë me ne dhe do u jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen dhe forcën që na dhatë gjatë këtyre ditëve të pikëllimit. Ju falënderojmë përzemërsisht të gjithëve!”, është thënë në komunikatë.