Vetëvendosje vazhdon të mos ecë “drejt” as në nivel komunal. Më poshtë keni artikullin mbi dyshime se tenderë janë dhënë në Podujevë për shkak të afërsisë politike.
Ia dha vulën tre tenderëve në Komunën e Podujevës.
Ani pse kishte çmimet më të larta se tetë kompanitë e tjera konkurruese, “Eing Com”, arriti ta fitojë tenderin e emërtuar: ‘Përmirësimi i infrastrukturës së jashtme dhe të brendshme të shkollave’.
Në njoftimin që ka shpërndarë Komuna e Podujevës, Eing Com kishte konkurruar në çdo Lot që ishte shpallur nga kjo komunë, dhe në të gjitha Lotet çmimet e tyre shihen se janë më të larta.
Arsyetimi i komunës për të shpallur fituese këtë kompani ishte çmimi i ulët, megjithatë shihet qartë që çmimet e tyre janë më të larta se kompanitë e tjera.
Rreth këtij tenderi, tashmë çdo gjë ka përfunduar. Përveç diçkaje, kryerjes së punimeve.
Por, kjo nuk ishte “dhurata e vetme” për kompaninë (detajet për të do t’i gjeni në pjesën e poshtme të tekstit). Eing Com u shpall fituese edhe në tenderin për: “Ndërtimin e Stacionit të Autobusëve”, tender për të cilin parashiheshin diku 1.1 milionë euro shpenzime.
Duhet përmendur faktin se në tenderin respektiv, kompania në fjalë ka bashkëpunuar edhe më nënkontraktorë.
“Loni”, “Sinani ing” dhe “Isars”, janë tri kompanitë te të cilat Eing Com gjeti besimin për bashkëpunim, me ç’rast konkurruan me çmimin: 1 milion e 165 mijë e 575 euro, çmim ky që ishte më i larti nga të gjithë konkurrentët e tjerë.
Pas ankesave të kandidatëve të tjerë, pra jofitues, detyroi palën përgjegjëse që ta dërgojë tenderin te Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP).
“Konstruktori ing 1969”, ishte kompania që e dërgoi të OSHP-ja këtë tender. Kjo kompani kishte konkurruar me çmimin më të ulët, 937 mijë e 733 euro.
Mirëpo, kjo nuk mjaftoi që OShP-ja të refuzojë tenderin për Eing com. Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ku kësaj radhe u refuzua ankesa e firmës “Konstruktori ing 1969”.

Nuk dihet nëse “afërsia”, “profesionalizmi” apo ndonjë faktor tjetër ishte “katalizator” që komuna e udhëhequr nga Bulliqi i VV-së, parti kjo që vazhdimisht kritikonte partitë e tjera për korrupsion në tenderë, t’ia dhurojë një tjetër të tillë së njëjtës kompani, Eing Com.
Hiç më larg se ditë më parë, gjegjësisht me datën 09.12.2022, kjo kompani hodhi vulën “fatlume” në tenderin “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve”.
Për të njëjtin, kjo firmë ka vendosur një çmim “simbolik” prej 9 mijë e 740 euro.
Por, kush është kompania Eing Com?
Kompania Eing Com udhëhiqet nga Eljesah Podvorica, me seli në Dumosh të Podujevës.
Në një interval të njëjtë kohor, kjo kompani ka arritur që të rrëmbejë pothuajse tri kontrata ndërtimi nga Komuna e Podujevës.
Gazeta Nacionale ka hulumtuar rreth kësaj pjese, nëse kompania në fjalë ka lidhje direkte në këtë komunë, apo në partinë e Lëvizjes Vetëvendosje, parti së cilës i përket edhe Bulliqi, ishi i LDK-së.
Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë, ku kanë publikuar fotografi, ku shihen në shoqëri edhe të disa personave për rreth.
Vështirë të besohet se fotoja është aksidentale. Nacionale pandeh se një fotografi e tillë mund të dërgojë në një pikë: një lidhje. Çfarëdo qoftë. Mbase edhe e fortë.

Mirëpo, ky nuk duket të jetë bashkëdyzimi i vetëm i Podvoricës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në vitin 2019, deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku, kishte postuar një fotografi së bashku me pronarin, Eljesah Podvorica dhe me dy persona tjerë në Facebook.
Vështirë të besohet se edhe kjo fotografi është aksidentale.

“Kosovë urime nga shpëtimi i epidermës së hajnave!”, kështu e kishte paraqitur Kadri Bislmi gëzimin e tij më 14 shkurt 2021, pas fitores së Albin Kurtit.
Kadri Bislmi, një përkrahës i fortë i Lëvizjes Vetëvendosje, nga ajo që mund të vërehet qartë në “Facebook”, del të jetë vjehrri i Eljesah Podvoricës.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me pronarin e kompanisë Eing.com, Eljesah Podvorica, dhe i njëjti ka thënë se jo vetëm me Podujevën, por edhe me disa komuna të tjera ka kontrata për punë.
Podvorica ka deklaruar se krejt kjo është natyrë e punës.
“Hahaha… jo vetëm tri po na i kem 30 a 100, jo vetëm në Podujevë por në të gjithë Kosovën. Pyetja juaj shumë interesante. Jo na me Podujevën kemi, s’po di sa kontrata janë, po kemi kontrata edhe me Lipjanin, Prishtinën, me organizata të huaj. Mu ma merr menja që është natyrë e punës,” – i ka thënë ai gazetës.
Tutje Podvorica ka deklaruar se asnjëherë nuk është marrë me parti dhe nuk merret as tash.
“Është e mundshme që me fitu edhe pse e ke çmimin më të shtrenjtin. Ne në çdo vend që operojmë mundohemi me qenë të përgjegjshëm me vlera maksimale, me qenë të përgjegjshëm 100%. Vlerësimi ka qenë i komunës, lënda ka shku në OSHP. Ata e kanë kthy në rivlerësim dhe është zgjedh operatori që ka qenë i përgjegjshëm. S’ka kurrgjë të keqe diçka. Çfarë afërsie, çfarë afërsi bash e çuditshme. Unë mundem me pas afërsi me njerëzit që i njoh. Kushtimisht unë jam i Podujevës dhe me parti politike as që merremi, dhe s’jemi marrë asnjëherë”, ka thënë ai.
Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë për disa ditë rresht edhe Komunën e Podujevës për të marrë një përgjigje rreth kësaj çështje, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Duhet thënë e rithënë disa herë, faktin që kjo nuk është hera e vetme kur Shpejtim Bulliqi kishte shpërblyer shokët e Vetëvendosjes.//Gazeta Nacionale
https://nacionale.com/sociale/shkruante-cmimi-me-i-ulet-ishte-me-i-larti-bulliqi-shperblen-me-tendera-te-afermin-e-vv-se?fbclid=IwAR1AVPCxgYI_F3qQBo6zI3jud3RliaCNqlZwOAaaxRMcbgr_qy6V-RpRTs0&mibextid=Zxz2cZ